Gjykata Speciale

“Si të më vdiste një familjar”, Haradinaj tregon për Albanian Post njohjen me avokatin Andrew Strong


Foto: Albanian Post

Si t’i vdiste dikush nga familja e ka përjetuar largimin e befasishëm nga jeta të avokatit amerikan Andrew Strong, Ramush Haradinaj, që dikur pati njohje të afërt me të, meqë ai ishte pjesë e ekipit mbrojtës të Haradinajt në Hagë në vitin 2005.

“E kam pas si pjesëtar të familjes sime dhe lajmi për vdekjen e tij ka qenë shokues dhe sikur të më kishte vdekur dikush nga familja e ngushtë”, tha Haradinaj në një koment të tij kur u pyet nga Albanian Post për juristin nga Çikago, që deri dje ishte pjesë e ekipit të avokatëve të Kadri Veselit në Gjykatën Speciale.

Kreu i AAK-së thotë se avokatin eminent që ndërroi jetë të hënën do ta kujtojë për jetë, “si një mik dhe luftëtar të zotin për të drejtat e njeriut, por edhe si përkrahës të çështjes shqiptare”.

Haradinaj ka treguar se Strong ishte “një luftëtar i jashtëzakonshëm për të drejtat e njeriut” dhe një mik i çmuar i tij, derisa potencon se i ndjeri ishte “luftëtar i zoti në seanca gjyqësore”.

“Andrew Strong si student i ri i drejtësisë në Çikago në komunikim me mua, por edhe me avokatin tim atëkohë Michael O’Reilly, ishte bërë pjesë e ekipit tim mbrojtës që në procesin e parë në vitin 2005. Andrew jo vetëm që i kishte kryer me sukses studimet, por ai ishte kthyer edhe në një zotërues të mirë të artit luftarak në seancë. Ishte rrugës së Ben Emmersonit-it”, potencoi ai.

Pos angazhimit si avokat, Strong sipas Haradinajt kishte njohuri të mëdha edhe për traditën dhe kulturën shqiptare, meqë kishte jetuar një kohë edhe në Kosovë.

Ramush Haradinaj dhe Andrew Strong

“Ai kishte ndjena të mira për shqiptarët, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri dhe zotëronte njohuri të shumta për historinë, traditën dhe kulturën tonë”, thotë kreu i AAK-së.

Ndërkaq këtë të martë, Gjykata Speciale ka vendosur që këtë vit të mos mbahet asnjë seancë gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, pasi vdekjes së avokatit Strong.

“Mbrojtja e Kadri Veselit në fillim të seancës së sotme kërkoi shtyrjen e seancave këtë javë për shkak të vdekjes së fundit të anëtarit të saj Andreë Strong. Paneli e pranoi kërkesën dhe anuloi pjesën tjetër të seancave të kësaj jave. Gjyqi do të rifillojë pas pushimit dimëror më 15 janar 2024”, thuhet në njoftimin e Speciales.

Gjatë pak minutave sa zgjati seanca, Ben Emmerson, avokat i ish-kryetari të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i emocionuar ka thënë se “të gjithë do të vajtojmë sot vdekjen e parakohshme dhe tragjike të shokut dhe kolegut tonë Andrew Strong”, derisa ka treguar se i ndjeri ishte angazhuar shumë për Kosovën e pavarur dhe të lirë.

“Andrew ishte në Kosovë në fund të vitit 2004, ishte vullnetar si stazhier në ekipin e mbrojtës të Ramush Haradinaj. Jetoj në Kosovë për disa vite, fliste shqip dhe ishte një person i shumë i angazhuar për të ndihmuar një Kosovë të pavarur dhe të lirë. Ishte një njeri plot dije. Shumë persona e duan dhe shumë persona e respektojnë. E duan shumë në Kosovë, ka lënë pas partneren dhe tre fëmijë”, tha Emmerson.

“Gruaja e tij ka kërkuar një kërkesë të posaçme që ta lejojnë të takohet me zotërinë Veseli në mënyrë që t’i përcjellë ngushëllimet e tij për Andreë dhe shpresoj që këtë kërkesë t’ia plotësoni”, theksoi ai.

Strong ishte pjesë e rëndësishme e ekipit të avokatit kryesor të Veselit, Ben Emmerson.

I ndjeri për shkak të angazhimit të tij në procese kundër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është quajtur shpesh si “avokat mbrojtës i UÇK”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore