Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Propaganda për “PyjetON”

Autor: Artan Rama | Citizens Channel

Qeveria sapo e ka shpallur 2024-ën vitin e pyjeve. Se si lindi nevoja për një vit të pyjeve, askush nuk mund ta shpjegojë. Që të kuptohemi, fjala është, se përse viti 2024? A përbën 2024 një përvjetor, a një jubile? A nuk do të ishte më i pranueshëm 2023-shi? Në 1923 u themelua, për herë të parë nga autoritetet e shtetit të ri, shërbimi kombëtar pyjor shqiptar. Kështu, 2023-shin mund ta kishim shpallur vitin e pyjeve për shkak të  jubilarit njëqind vjeçar. Por jo! Qeveria vendosi për 2024-rën. Një vit më parë, në 2023-shin, kishim Vjosën. Qeveria e rriti nivelin e mbrojtjes së lumit një shkallë më lart: nga “Park Natyror” në “Park Kombëtar”. Ndonëse parku ende nuk po funksionon, ceremonitë festive për nder të shpalljes së Vjosës kanë qenë të shumta dhe do të vijojnë që të jenë të tilla edhe në të ardhmen. A do të kemi diçka të ngjashme për 2025-n? Po, me gjasë! 2025 do të jetë edhe vit elektoral. Duket se edhe protokolli i ceremonive “të gjelbra” po i nënshtrohet një disipline politike, jo aq rastësore, por sidoqoftë ajo mbetet artificiale. Si e tillë, do të mbetet edhe kjo traditë rishtare. Le të qëndrojmë te fushata e 2024: “Viti i Pyjeve”, siç ata lart, “e pagëzuan”!

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit publikoi edhe kalendarin e aktiviteteve për vitin e pyjeve. Bëhet fjalë vetëm për pyllëzime, ndërkohë që nuk ka një faturë financiare se si do të mbështeten aktivitetet e programuara. Në fakt, pyllëzimi (mbjellja e fidanëve) është një proces i përhershëm, nën përgjegjësinë e bashkive, të paktën prej tetë vitesh, ndonëse më shumë se gjysma e bashkive të vendit nuk kanë plane menaxhimi, që do të thotë se nuk janë në gjendje për të mirëmbajtur pyjet e tyre. Shfrytëzimi i pyjeve lidhet ngushtë me ripërtëritjen. Mungesa e planeve të menaxhimit nuk garanton, as njërën, as tjetrën.

Nga 416 ekonomi pyjore në rang kombëtar, vetëm 57 prej tyre, kanë plane menaxhimi në fuqi, çka thotë se në dhjetë ekonomi pyjore, të paktën tetë prej tyre janë jashtë kontrollit të autoritetit. A përbën kjo situatë një alarm kombëtar? Mund ta mendoni vetë! Gjykoj se jemi, jo në prag, por brenda katastrofës kombëtare: pyjet po pakësohen, ndërkohë që ende nuk jemi në gjendje që t’i ripërtërijmë.

Pyllëzimi mbetet një ditë e zakonshme pune në çdo një prej gjashtëdhjetë e një bashkive të vendit. Por ka edhe të tjerë faktorë që ndikojnë në suksesin e kësaj dite të zakonshme: ministri, agjenci, grupe interesi e kështu me radhë. Pra, kemi të bëjmë me një dështim të përbashkët.

21 marsi përkon me ditën ndërkombëtare të pyjeve. Këtë datë, autoritetet kanë shpallur aksionin kombëtar për mbjelljen e 300,000 fidanë në një ditë të vetme. Tërheqëse! Veçanërisht për ekranin dhe për komunikimet virtuale. Por në terrenin fizik, ndeshemi me një tjetër realitet. Nëse ky premtim arrin që të ndodhë, do të duhen, të paktën 5 vjet, për të regjistruar një pyll të ri. Njerëzit duhet të dinë se ripyllëzimi si një proces i vetëm, nuk përbën a priori një pyll të ardhshëm. E ardhmja e fondit pyjor ndikohet nga disa faktorë. Mbjelljet në ditët e fundit të marsit mbeten sidoqoftë, disi më të kontestuara, pasi zvogëlohet shkalla e zënies. Në kushtet e ndryshimeve të klimës, kjo pasiguri shtohet. Nuk dihet lloji që do të mbillet, as vendi (në cilën lartësi).  Natyra ka ligjet e saj, por autoritetet kanë kalendarin e tyre të burokracisë. Nuk mund të mbjellësh kuturu! Fushatës i mungon strategjia.

Asnjë prej gjashtëdhjetë e një bashkive të vendit nuk ka një fidanishte të saj nën kujdes. E vetmja u dha me koncension, rreth 15 vite të shkuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, diku pranë Cërrikut. Nuk ka pasur një të dytë më pas. Ministri aktual, znj. Kumbaro, i kërkoi Kuvendit, para disa ditësh, mbështetje financiare për pjesëmarrje të programuara nëpër panaire ndërkombëtare turizmi, ndërkohë që për ngritjen e fidanishteve të reja, kërkon që ta ndihmojë Delegacioni i Bashkimit Evropian. Nëse duam turizëm na duhen pyje dhe jo panaire; aq më tepër, nëse e duam “gjithëvjetor”, siç dëshiron që të shprehet, shpesh së fundi, ministri Kumbaro.

“Ta kthejmë vitin e pyjeve në vit të hartimit të planeve të menaxhimit”, udhëzoi Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, gjatë një takimi këtë javë, me krerët e bashkive. “Nuk mund t’i shfrytëzojmë pyjet, pa pasur plane menaxhimi, – kushtëzoi, specifikisht, Kumbaro. – “Shfrytëzim” për çfarë: qëndrueshmëri, apo komercializim i burimeve? Qeveria ka treguar, më shumë se disa herë, se anon nga kjo e fundit; çdo qeveri madje, ka të njëjtën prirje.

Ministria premtoi, gjithashtu, se (qeveria) mund të financojë edhe realizimin e planeve të pahartuara të menaxhimit. Përfituesit, përveç se bashkitë, do të jenë disa kompani (studio), të njëjtët që hartuan planet e përgjithshme vendore. Por edhe nëse kjo mund të ndodhë, shqetësimi mbetet po njësoj: a mund të mirë administrojnë bashkitë në të ardhmen fondin pyjor? Ka disa arsye se përse këto plane mungojnë: bashkitë nuk janë efektive; nuk kanë kapacitete dhe nuk sigurojnë mbështetje financiare për drejtorinë e shërbimit pyjor. Disa bashki nuk raportojnë të ardhura nga fondi pyjor; të tjera nuk kryejnë fare investime, ndonëse kanë të ardhura; ndërkohë që bashkitë e suksesshme (me fond ta lartë pyjor) deklarojnë të ardhura të ulëta; ka edhe bashki, madje jo pak, por 1/3 e tyre të cilat, jo vetëm nuk sigurojnë të ardhura, por as nuk investojnë në pyje. Mungesa e kapaciteteve njerëzore është e dukshme.

Krahas prerjeve, zjarreve dhe humbjeve në volum, pyjet kanë vuajtur edhe presionin e rekrutimit të militantëve, duke larguar inxhinierët me përvojë nga radhët e shërbimi pyjor. Nga ana tjetër, një pjesë e inxhinierëve pyjorë pranë këtij shërbimi, të punësuar pranë bashkive “të vogla”, marrin shpërblime të ulëta, për shkak të klasifikimit të ulët të vetë bashkisë. Ndërkohë që të tjera, të cilat klasifikohen “të mëdha”, por që kanë një fond pyjor të vogël, sigurojnë shpërblime më të larta për inxhinierët e tyre, çka sjell pabarazi e si pasojë, demotivim për shkak të trajtimit financiar të pamerituar. Kjo, sepse kategorizimi i bashkive mbështetet në numrin e popullsisë e jo të sipërfaqes së fondit pyjor.

Ministria ka kërkuar mbështetje edhe tek Universiteti i Tiranës. Përfshirja e Fakultetit të Pyjeve është parashikuar specifikisht në fushatë. Por mbetet e paqartë se deri në ç’masë mund të ndihmojë fakulteti? Fakulteti i Pyjeve është prekur nga të njëjtat simptoma që është prekur universiteti publik në tërësi: rënia e numrit të studentëve, për shkak të largimit drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Cilësia e prurjeve të reja në këtë fakultet është, gjithashtu, në rënie.

Ende nuk e dimë se çfarë do të jetë fushata “PyjetOn” përgjatë vitit 2024; çfarë mund të përmirësojë në keqadministrimin e deritanishëm; dhe, a do të ndryshojë diçka për mirë, përgjithmonë? Por një gjë e dimë nga dija: fushata që filloi këtë javë në korridorin e poshtëm të kryeministrisë, përpara kamerave të kontrolluara të pushtetit, do të përfundojë në dhjetor dhe deri atëherë, çdo gjë që mund të mbillet nuk do të ketë asnjë peshë, nëse efektet e mbjelljes nuk shtrihem e të lëshojnë rrënjë shumë gjatë në të ardhmen.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *